Bajrami: Kundër Borecit për fitore, Europa nuk diskutohet!

Shkupi nesër përballet në transfertë me Borecin e Velesit në kuadër të xhiros së 10-të në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut.

Bardheblutë kanë shfrytëzuar maksimalisht pauzën dy javore, duke zhvilluar përgatitje intensive, ndërsa kanë luajtur edhe dy ndeshje kontrolluese gjatë kësaj periudhe të shkurtë. Duke patur parasysh se takimin me Borecin e luajnë në terren me bar artificial, Shkupi tre ditët e fundit të kësaj jave ka ushtruar në terrenet pranë Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut për t’u ambientuar me fushën e këtij lloji para përballjes së nesërme.

“Kemi shfrytëzuar maksimalisht pauzën. Kemi punuar në aspektin fizik dhe këtë javë kemi punuar edhe në atë taktik. Kemi një seri pozitive, ku në tre ndeshjet e fundit të kampionatit dhe një të Kupës, nuk kemi pësuar gol, por kemi fituar edhe pikë. Fillon cikli i dytë, duhet të tentojmë të fitojmë më shumë pikë se në rrethin e parë. Unë jam optimist që në këto 9-të xhiro e radhës do të shohim një Shkup më të mirë. Na pret një ndeshje kundër Borecit. E dimë se kundër kësaj skuadre do të luajmë në terren me bar artificial, ndërsa në tre ditët e fundit kemi punuar në kësi lloje fushe dhe nuk do të jetë problem, pasi jemi ambientuar. Kërkojmë fitoren e radhës që të jemi sa më afër tabelës, ashtu siç është edhe synimi i klubit tonë, të jemi afër kreut dhe Europa na duhet patjetër. Besoj që ky ekip ka fuqi për t’ia dalë me një fitore në Veles”, u shpreh kapiteni i Shkupit, Muharem Bajrami.

Takimi Boreci-Shkupi zhvillohet nesër në stadiumin e qytetit në Veles, duke nisur nga ora 14:30.

 

 

Leave a Reply