Fulhami zgjedh golin e struganit, Pajtim Kasami si më të mirin e dekadës

Skuadra e njohur angleze, Fulham, ka zgjedhur golin e struganit, Pajtim Kasami, si më të mirin e dekadës që lamë pas.

Kasami, i cili aktualisht luan në Zvicër te skuadra e Sionit, në të kaluarën mbrojti ngjyrat e klubit anglez, Fulham mes viteve 2011–2014.

Gjatë këtyre viteve, 27-vjeçari nga Struga nuk arriti të lë shumë gjurmë duke zhvilluar vetëm 56 ndeshje dhe duke shënuar 3 gola.

Megjithatë, një supergol i tij ndaj Kristal Pallas, ka arritur të lë gjurmë tek klubi anglez.

Fulham kishte përzgjedhur disa nga golat ndër vite për të gjetur më të mirin e dekadës dhe ishte goli i Kasamit, ai i cili fitoi votat, ndërsa strugani në shenjë falënderimi dërgoi një video mesazh, përmes të cilit tha se ndjehet shumë i lumtur që ishte pikërisht goli i tij që u zgjodh më i miri i dekadës.

“Tung njerëz, jam Pajtim Kasami. Dua t’i falënderoj të gjithë ata që kanë votuar golin tim si ‘Goli më i bukur i dekadës’. Kjo do të thotë shumë për mua. I vlerësoj po ashtu shumë mesazhet e bukura që kam marrë”.

“Goli im erdhi në mënyrë instiktive, nuk e kam menduar shumë, kurse tani që kanë kaluar gati 5 vite, e kam kuptuar se me të vërtetë ishte një nga golat më të bukur që i kam shënuar”, – ka thënë Kasami, i cili aktualisht është pjesë e skuadrës zvicerane të Sionit, ku gjatë stinorit vjeshtorë në 17 ndeshje arriti që të realizojë 8 gola.

Ndryshe gjatë karrierës së tij të bujshme në Angli, Kasami kishte veshur edhe fanellën e Notingham Forest, ndërsa ndër skuadrat e njohura europiane kishte veshur edhe fanellën e Liverpullit U18, Lacios U19 dhe Olimpijakosit.

Kasami për një periudhë të caktuar ka mbrojtur edhe ngjyrat e përfaqësueses A të Zvicrës, për të cilën ka zhvilluar 12 ndeshje dhe ka shënuar 2 gola, ndërsa gjithashtu ka qenë pjesë e ekipeve zinxhir të “helvetikëve”.

Leave a Reply