Futsal Shkupi kthehet me fitore nga Likova, Erkan Seferi vazhdon të shkëlqejë

Futsal Shkupi ka shënuar fitore 4:2 në derbi ndeshjen e javës së 15-të në elitën e futsalit vendor kundër Futsal Karadakut në Likovë, njofton “infOSport.mk”.

Ishte kjo një ndeshje me dy pjesë të ndryshme, teksa kampionët fytyrën e tyre të vërtetë e treguan vetëm në pjesën e dytë, kur shënuan që të gjithë 4 golat.

Ndryshe pjesa e parë u mbyll me avantazhin e vendasve prej 2:0, ndërsa me të filluar pjesa e dytë, Erkan Seferi doli në skenë për të ngushtuar epërsinë e vendasve në 2:1.

Arsim Fazliu arriti që të barazojë rezultatin në 2:2, ndërkohë kapiteni i përfaqësueses së vendit, Zoran Leveski për herë të parë në këtë ndeshje bëri që Futsal Shkupi të avansojë ndaj Futsal Karadakut.

Qetësinë Futsal Shkupit i’a solli bomberi Erkan Seferi, i cili me golin e tij të dytë personal vendosi rezultatin përfundimtarë të takimit, Futsal Karadaku 2, Futsal Shkupi 4.

Me këtë fitore skuadra “bardhekaltër” nga Çairi pas 15 xhirove numëron 46 pikë, nga gjithsej 48 të mundshme.

 

Leave a Reply