La Liga rifillon me super derbin lokal

La Liga do të rifillojë edhe zyrtarisht me datë 11 qershor. Autoritetet fillimisht kishin dhënë dritën jeshile që i njëjti të startojë që prej 8 qershorit, mirëpo pas takimit të sotëm mes 42 klubeve nga La Liga dhe Segunda Division, presidenti Havier Tebas ka konfirmuar që futbolli në Spanjë do të rifillojë të enjten e 11 qershorit.

Dhe që në start do të jemi dëshmitarë të derbit të madh lokal të Seviljas, kur në “Ramon Sançez Pizhuan”, Sevilja do të mirëpret Betisin, ndërkohë që sezoni aktual 2019/2020 në La Liga pritet të mbyllet më 19 korrik.

Ky është lajmi që vjen nga gazetari Pedro Fullana, ndërkohë që gjatë mbledhjes së sotme janë marrë disa vendime në lidhje me vazhdimësinë e kampionateve.

Zbatimi i protokollit është një nga porositë kryesore që klubet kanë marrë, ndërkohë që kërkohet të ketë kontrolle sa më të shumta për të shmangur përhapjen e koronavirusit.

Ndër vendimet e marra është se ndeshjet do të luhen në ditë të ndryshme, deri në javët e fundit, kur të gjitha takimet zhvillohen në një ditë dhe në një orar.

Faza “play-off”, përmes së cilës skuadrat do të tentojnë të ngjiten në La Liga do të zhvillohet deri më 2 gusht.

Një tjetër lajm i mirë është se duke nisur nga java tjetër, ekipet mund të stërviten normalisht.

Leave a Reply