Kosova e nis me barazim edicionin e ri në Ligën e Kombeve

Përfaqësuesja e Kosovës e ka nisur me barazim edicionin e ri të Ligës së Kombeve. “Dardanët” barazuan 1:1 me Moldavinë, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Ennio Tardini” në Parma të Italisë, në kuadër të Grupit 3 të Ligës C.

Futbollistët kosovar dominuan lojën, por nuk arritën të krijojnë shumë raste të pastra para portës së vendasve. Në anën tjetër moldavët që ishin plotësisht të përqendruar në mbrojtje arritën që falë një aksioni të shpejtë pas dy tentimeve ta çojnë topin në rrjetën e Arijanet Muriç.

E gjithë kjo ndodhi në minutën e 20-të, kur Nicolaescu, nga afërsia arriti që të shënojë në rrjetën e Muriç, që nuk arriti të devijoj topin ashtu si duhet.

Në vazhdim me gjithë përpjekjet për të ndryshuar gjërat futbollistët kosovar nuk arritën të barazojnë shifrat dhe në pushim shkuan me një gol disavantazh.

Në pjesën e dytë ‘Dardanët” u angazhuan edhe më shumë, por hasën në mbrojtje të dendur të moldavëve. Përfundimisht muri i mbrojtjes së vendasve u thye në minutën e 71-të, kur Benjamin Kololli shënoi pas asistimit të Valon Berishës për 1:1.

Në minutat e mbetura të përzgjehdurit e Bernard Çallandes bën presion të vazhdueshëm, por pa arritur dot të gjejnë golin e fitores.

Ndeshjen e radhës Kosova do ta zhvillojë të dielën kundër Greqisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Leave a Reply