Shpresat e Shqipërisë luajtën me karakter, me përmbysje mundën Andorrën

Shpresat e Shqipërisë në futboll shënuan një fitore të madhe ndaj Andorrës në kuadër të ndeshjeve eliminatore për Europianin e vitit të ardhshëm, njofton “infOSport.mk”.

“Kuqezinjtë” e Alban Bushit fituan me përmbysje përballë skuadrës iberike me rezultatin 3:1.

Andorra kaloi në avantazh që në minutën e 2-të, falë një penaltie të fituar në sekondën 50-të, të cilën në gol e shndërroi Zhordi Alaez.

Pavarësisht tentativave, “kuqezinjtë” nuk arritën të gjenin rrugën e rrjetës në 45 minutëshin e parë të lojës, teksa duhet të prisnin pjesën e dytë, për të realizuar fitoren e karakterit.

Ishte mbrojtësi Adolf Selmani ai që i hapi rrugën përmbysjes në minutën e 62-të, falë një goditje të saktë me kokë. Për të kaluar në avantazh Shqipërinë U-21 mendoi Xhakomo Vrioni, i cili gjithashtu realizoi me kokë në minutën e 85-të, ndërkohë rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, Shqipëria 3, Andorra 1, e vendosi rezervisti Bullari në minutën e 94-të.

Falë kësaj fitore Shqipëria U21 mban pozitën e tretë në grupin 3 eliminatorë me 11 pikë, një më pak se Austria e vendit të dytë, ndaj së cilës ditë më parë regjistroi një fitore të madhe 5:1 në udhëtim.

Leave a Reply