“Dardanët” me flamuj kombëtarë përcollën Kosovën drejt Shkupit

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll tashmë ndodhet në Shkup, ndërsa gjatë rrugëtimit për në kryeqendrën tonë futbollistët “Dardan” ishin surprizuar nga ana e tifozëve të tyre më të flaktë në Han të Elezit, aty ku kishin krijuar një kortezh në shenjë respekti ndaj ekipit përfaqësues të vendit të tyre.

Me flamuj kombëtarë dhe kuptohet të Kosovës, ata ju dëshiruan para së gjithash një rrugëtim të mbarë, por njëkohësisht edhe një rezultat pozitiv që do i dërgonte ata në finalen e edicionit të parë të Ligës së Kombeve në kuadër të Ligës  “D”.

Ekspeditën e përfaqësueses së futbollit të Kosovës kishte dalë ta mirëpret edhe numri një i Hanit të Elezit, Rufki Suma, i cili djemve “dardan” ju urojë shumë fat për këtë ndeshje historike.

Ndryshe ekspedita e përfaqësueses së Kosovës është akomoduar në “Park Hotel&Spa”, në afërsi të stadiumit “Todor Proeski”, ku të enjten në mbrëmje me fillim në ora 20:45 kundër Maqedonisë së Veriut do ta zhvillojnë ndeshjen gjysmëfinale të “play-off”-it për kualifikim në Kampionatin Europian të vitit 2021.

Ndërkohë sot në orën 18:00, “Dardanët” do ta zhvillojnë seancën e fundit stërvitore para kësaj përballjeje, derisa paraprakisht në orën 17:30 seleksionuesi Çallandes bashkë edhe me një futbollistë do të dalin para mediave në konferencë për shtyp.

Leave a Reply