FC Shkupi mund Bellasicën në një ndeshje me gola spektakolar (VIDEO)

FC Shkupi pa shumë probleme ka mundur Bellasicën me shifrat 3:1, duke shfrytëzuar në këtë mënyrë disfatën e Makedonija GJ.P dhe duke u rikthyer në pozitën e dytë në renditje, njofton “infOSport.mk”.

Këtë ndeshje “bardhekaltërit” nga Çairi e zhvilluan në kompleksin “Petar Milloshevski” pranë FFM-së, ndërsa fitoren e tyre e paralajmëroi Dembo Darboe, që në këtë mënyrë i dha fund agjërimit prej 4 ndeshjeve pa shënuar në kampionat.

Darboe realizoi një gol mjaft të bukur në minutën e 27-të pas një kombinimi të dyfishtë me Gudiabin, i cili nga ndeshja në ndeshje po dëshmon cilësitë e tij në krahun e majtë të sulmit.

Momenti më i bukur i takimit ndodhi në minutën e 43-të, kur Fredy Alvarez vendosi që të godas nga distanca, ndërsa këtë e bëri me stil, pasi e majta e tij e fuqishme nuk gjeti kundërpërgjigje nga ana e portierit Gjorgiev.

Kështu pjesa e parë u mbyll me shifrat 2:0, ndërsa në pjesën e dytë, të dyja skuadrat shënuan edhe nga një gol tjetër.

Mysafirët me super golin e Zoran Ivanovskit në minutën e 61-të rikthyen shpresat se nga kjo ndeshje mund të marrin të paktën një pikë, mirëpo gjithçka ra në ujë në minutën e 82-të, kur të besuarit e Umit Karan përfituan penalti, të cilën në gol e shndërroi Dembo Darboe, duke shënuar edhe golin e dytë personal dhe të tretin për FC Shkupin.

Me këtë fitore FC Shkupi rikthehet në pozitën e dytë, tashmë me 28 pikë, dy më pak se kryesuesit e Shkëndijës.

Leave a Reply