Drita angazhon mesfushorin Roni Sinani

Drita e Bogovinës është ndër skuadrat e para nga ato të Ligës së Dytë që ka nisur tashmë disa ditë përgatitjet për stinorin pranveror. Kjo skuadër që udhëhiqet nga strategu Ardian Imeri, madje ka zhvilluar edhe dy ndeshje miqësore, ndërsa nesër në Ohër pritet të zhvillojë edhe miqësoren e tretë, atë kundër skuadrës serbe të Jagodina, njofton “infOSport.mk”.

Për këtë ndeshje trajneri Imeri do të ketë mundësinë ta aktivizojë edhe Roni Sinanin, mesfushorin nga Gostivari, i cili së fundmi ishte pjesë e Vardar Forinës. Bëhet fjalë për një futbollistë vetëm 19-vjeçar, i cili hapat e parë i kishte bërë në shkollën e Shkëndijës, me të cilën skuadër ka luajtur edhe dy ndeshje ndërkombëtare në kuadër të UEFA Youth League.

Sinani bëhet kështu përforcimi i 6-të gjatë këtij afati kalimtarë të dimrit për Dritën, drejtuesit e së cilës skuadër më parë kishin bërë për vete edhe portierin Amir Jashar, veteranin, Dejan Leskaroski, Valon Zeqirin, sulmuesin Shpend Asanin si dhe sulmuesin e talentuar, Kushtrim Tairi, transmeton “infOSport.mk”.

Drita e Bogovinës stinorin vjeshtorë e mbylli në pozitën e fundit në Ligën e Dytë – Perëndim, ashtu që këtë skuadër e pret një luftë e vërtetë për të mbijetuar në këtë rang garash.

 

Leave a Reply