Situatë kaotike te Juventusi, Nedved përplaset ashpër me Paratiçin

Situatë kaotike te Juventusi! Sipas asaj që raporton e përditshmja “Repubblica”, në qendrën stërvitore bardhezi ka ndodhur një përplasje shumë e ashpër mes zëvendëspresidentit bardhezi, Pavel Nedved dhe shefit të zonës teknik, njëkohësisht drejtori sportiv i torinezëve, Fabio Paratiçi.

Prestigjiozja italiane nënvizon se motivet e këtij sherri, që trazon edhe më shumë pragsfidën e Superkupës së Italisë, është pikësëpari çështja e shpërthyer në Peruxha, lidhur me provimin fals që bëri Luis Suarez, i cili ka futur në mes edhe emrin e Juventusit, diçka që Pavel Nedved nuk e ka toleruar, pasi prek imazhin e klubit.

Diçka e tillë, bashkuar edhe me rezultatet që nuk janë ato të priturat, lidhur edhe me disa tratativa merkatoje të drejtuara sipas Nedvedit në mënyrën e gabuar, kanë bërë që ish-mesfushori i Juventusit të shpërthejë ndaj Paratiçit.

Emri i këtij të fundit rezultoi në tabulatet telefonike, ndonëse diçka e tillë nuk është pranuar nga vetë Paratiçi, i cili tashmë po hetohet për deklarata të rreme. Të gjitha këto gjëra, ndonëse mund të njollosin për keq imazhin e drejtorit sportiv, prekin drejtpërdrejtë edhe Juven dhe gjëra të tilla Pavel Nedved, i cili dihet se është shoku më i ngushtë i presidentit Andrea Anjeli, jo vetëm që nuk kërkon t’i pranojë më, por mbi të gjitha ka dhënë një ultimatum lidhur me një largim të Paratiçit nga klubi.

Shkurt, Nedved nuk e do më në klub Paratiçin dhe duke parë se kontrata e drejtorit sportiv skadon në 30 qershor 2021, rinovimi duket shumë i vështirë. Kjo, sepse nëse ai ndodh, atëherë Anjelit do t‘i duhet të zgjedhë vetëm një mes Paratiçit dhe Nedvedit.

Leave a Reply