Shou i vërtetë në Milano, përmbysje spektakolare e Interit, karton të kuq, ndërrim të arbitrit dhe gol në minutën e 97-të (VIDEO)

Interi ka shënuar fitore 2:1 në derbin e madh milanez, ndryshe i njohur si “Derbi della Madonina”, ndeshje kjo e vlefshme për ¼ e finales së Kupës së Italisë, njofton “infOSport.mk”.

Kjo ndeshje dhuroi shumë shou, duke filluar që nga goli i Zlatan Ibrahimoviç në minutën e 31-të, tek zënka e suedezit me Romelo Lukakun në fundin e pjesës së parë si dhe largimi me të kuq i Ibras, i cili në këtë mënyrë la skuadrën në disavantazh numerik.

Suedezi u ndëshkua me të kuq në minutën e 58-të, pas një starti ndaj Kolarov, kur u ndëshkua edhe me kartonin e dytë të verdhë.

Kjo ndikoi negativisht te Milani, pasi Interi shfrytëzoi në maksimum epërsinë numerike. Fillimisht në minutën e 71-të zikaltërit barazuan përmes Romelo Lukaku, i cili shënoi nga pika e bardhë e përfituar vetëm me VAR, ndërsa Kristian Eriksen në minutën e 97-të me një super gol nga gjuajtja e lirë i dha fitoren Interit.

Në minutën e 75-të arbitri kryesor Paolo Valeri pësoi një dëmtim, me ç’rast i njëjti u zëvendësua nga Daniele Kifi.

Falë kësaj fitore Interi siguroi biletën për në gjysmëfinale, aty ku pret fituesin nga përballë Juventus – SPAL. (infOSport.mk)

Leave a Reply