Botërori për klube e lenë me pasoja Bajernin, lëndohet një ndër futbollistët më të mirë

Bajern Munih ia doli në mbrëmjen e djeshme të shpallet kampion i Botës për Klube, teksa në finalen e madhe mposhti meksikanët e Tigres, me rezultatin minimal 1:0 falë një goli të Pavard.

Megjithatë kjo fitore e “bavarezëve” në fund bëri që festa e tyre të mos jetë e plotë, kjo pasi një ndër futbollistët e saj më të mirë, Serxhe Gnabri, pësoi një dëmtim.

Fantazisti u detyrua të dilte para kohe nga fusha në pjesën e dytë duke qenë se ndjeu një problem muskulor. Së fundmi, është konfirmuar një tërheqje në kofshën e djathtë për lojtarin e kombëtares gjermane.

Koha e rikuperimit nuk është e konfirmuar nga një datë fikse, por me shumë mundësi Gnabri ka humbur takimin e parë kundër Lacios në Ligën e Kampionëve, që në program është me datë 23 shkurt.

Kujtojmë se për këtë sfidë është në dyshim edhe Tomas Myler, i cili ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

Leave a Reply