Shqipëri – Angli do të luhet në Tiranë

Shqipëria ndeshjen kundër Anglisë, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit të vitit 2022, që do të mbahet në Katar, do ta zhvillojë ne Tiranë, edhe përkundër faktit se Anglia është izoluar dhe linjat e fluturimit me të janë thuajse të bllokuara me të gjithë Europën, përfshirë këtu edhe me Shqipërinë.

Megjithatë kombëtarja angleze do të mbërrijë në Tiranë për të zhvilluar ndeshjen e datës 28 mars.

“Panorama Sport” ka mësuar se për këtë, në zbatim të protokolleve dhe rregullores së UEFA-s, FSHF ka ndërmjetësuar me shtetin shqiptar, që delegacioni britanik të mos ketë asnjë problem për udhëtimin drejt Tiranës.

UEFA u kërkon shteteve europiane lejekalime dhe korridore kalimi të skuadrave në shtete të ndryshme, pa bërë karantinë në vendet ku shkojnë për të luajtur dhe për këtë, sanksionon ekipet që të bëjnë teste COVID-i disa herë deri ditën e ndeshjes.

Kujtojmë, Shqipëria dhe Anglia janë pjesë e grupit “I” eliminatorë, aty ku bëjnë pjesë edhe Polonia, Hungaria, Andorra dhe San Marino.

Leave a Reply