E bujshme, Ervin Skela emërohet trajner te skuadra e njohur gjermane ku kishte kaluar momente të mira të karrierës

Ish-mesfushori i Kombëtares shqiptare, Ervin Skela ka ndërmarrë hapin e madh në karrierë teksa është emëruar si trajner i skuadrës së U17 te Ajntrahti i Frankfurtit, te e cila skuadër kishte kaluar momente të mira të karrierës.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë faqja e klubit gjerman, duke njoftuar për emërimin e Skelës në krye të ekipit të tyre.

“Ervini e njeh mirë klubin dhe ka fituar shumë përvojë gjatë viteve që ka punuar këtu në Eintrakt. Si një bashkë-trajner dhe trajner individual  ka provuar se  mund të kalojë përvojën e tij profesionale tek futbollistët e rinj të akademisë.

Ne jemi shumë të kënaqur që ai tani po bën hapin tjetër si trajner me përgjegjësinë kryesore dhe se ai do të vazhdojë të punojë së bashku me ekipin e Ajntraht U17″, shprehet kreu i qendrës stërvitore, Andrea Moller.

Ervin Skela ka nënshkruar një kontratë e cila e lidh me klubin gjerman deri më 30 qershor 2022.

Që nga vera e vitit 2020, Ervin Skela ka punuar si ndihmës trajner dhe si trajner individual pranë akademisë së Frankfurtit. Skela punon në shkollën e futbollit të Ajntraht Frankfurtit që nga viti 2015 dhe fitoi licencën e instruktorit të futbollit në vitin 2019.

Si futbollist ka luajtur për ekipin e Ajntrahtit nga viti 2001 në 2004 duke shënuar 26 gola në tre vjet. Pas tre viteve me Frankfurtin, ish-mesfushori kuqezi luajti dhe me ekipe të tjera gjermane si Arminia Bielefeld, Kaizerslautern dhe Enerxhi Kotbus.

Leave a Reply