Skuadrat shqiptare i thonë lamtumirë Ligës së Kampionëve

Pas Shkëndijës dhe Prishtinës, edhe skuadra e tretë shqiptare përfaqësuese në Ligën e Kampionëve për edicionin 2021/2022, Teuta, kampione e Superligës së Shqipërisë, i ka dhënë fund qëndrimit në Ligën më prestigjioze europiane në nivel klubesh, njofton “infOSport.mk”.

Është ky një zhgënjim i madh për gjithë shqiptarët, e sidomos tifozët e Shkëndijës, skuadër kjo që u mund në të dyja ndeshjet ndaj kampionëve slloven të Mura-s. Dhemb sidomos disfata e sontme 5:0 në transfertë, me ç’rast “kuqezinjtë” nga Tetova u eliminuan nga kjo garë shumë herët me rezultatin e përgjithshëm 6:0.

Aspak më mirë nuk kaloi edhe Teuta e Durrësit, që garën ndaj Sherif Tiraspol nga Moldavia e kishte humbur që në ndeshjen e parë në tokën shqiptare, kur ishte mundur me shifrat 4:0. Ndërkohë sonte në transfertë, skuadra e trajnerit Martini u mund me rezultatin minimal 1:0.

Prishtina u mundua edhe sonte përballë gjigandëve hungarez të Ferencvaroshit, te e cila skuadër sonte shkëlqeu sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni. Futbollisti beratas realizoi “tripletë” në fitoren 3:1 të Ferencvaroshit, që me rezultatin e përgjithshëm 6:1 kualifikohet tutje në Ligën e Kampionëve.

Leave a Reply