Dyshja perfekte në sulm, ky pritet të jetë formacioni ndaj San Marinos

Kombëtarja shqiptare po vijon përgatitjet në kompleksin Tropikal në Durrës në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e radhës të eliminatoreve të Botërorit “Qatar 2022” ndaj San Marinos.

Zyra e shtypit pranë FSHF-së bën me dije se disa futbollistë që kishin probleme fizike pas duelit me Hungarinë i janë nënshtruar testeve dhe pritet përgjigja e stafit mjekësor për të konkluduar nëse do të jenë të gatshëm për ndeshjen e nesërme.

Për Sokol Cikalleshin, i cili nuk u aktivizua ndaj hungarezëve për shkak të një dëmtimi në gju, do të vendoset sot nëse do të mund të luajë ndaj San Marinos ose jo. Sulmuesi i Konjaspor ka zhvilluar stërvitje të diferencuar.

Dëmtime të vogla kanë pësuar edhe Lorenc Trashi, Nedim Bajrami e Bekim Balaj, por që të tre parashikohet të jenë gati për lojë sipas stafit mjekësor kuqezi.

Amir Abrashi do të mungojë ndaj San Marinos për shkak se ka pësuar një tërheqje dhe ka nevojë për një pushim për t’u rikuperuar. Në sfidën e të mërkurës do të mungojë edhe mesfushori Klaus Gjasula, i skualifikuar pas kartonit të marrë ndaj Hungarisë.

Shqipëria do të luajë ndaj San Marinos sfidën e tretë të shtatorit në eliminatoret e Botërorit “Qatar 2022”. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena” dhe do të startojë në ora 20:45.

Ky pritet te jete formacioni, me ndonjë ndryshim të vogël në vijim.

Leave a Reply