Liga Europa, shënojnë Uzuni dhe Berisha, Shaqiri me Lionin e tij kalojnë në 1/8 e finales

Janë mbyllur ndeshjet e mbrëmjes në Liga Europa, aty ku sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni, ka gjetur sërish rrjetën, duke shënuar golin e tij të dytë në këtë kompeticion me fanellën e Ferencvarosh.

Sulmuesi shqiptar, si zakonisht titullar me skuadrën hungareze, gjeti golin në pjesën e dytë të ndeshjes, por pa mundur të ndryshonte fatet e sfidës ndaj skuadrës së njohur skoceze të Selltik, skuadër kjo që në fund triumfoi me shifrat 3:2.

Lacio është plotësisht në garë për kualifikimin e mëtejshëm, pasi ka ruajtur vendin e dytë në grup me një barazim në fushën e Olimpik Marsejës.

Në një ndeshje me shumë episode, ishin francezët që kaluan të parët në avantazh, por pastaj u goditën në shtesën e pjesës së parë dhe në fillimin e të dytës, me golat e Anderson dhe Imobile. Në fund, një gol mes rrëmujës i Paje, bëri që dueli të mbyllej me barazim 2:2 duke lënë italianët me një avantazh prej një pikë ndaj francezëve në renditjen e grupit.

Sa u përket sfidave të tjera, ra në sy fitoja e thellë 3:0 e Fenerbahçes në fushën e Antverpen, me Mërgim Berishën i cili shënoi golin e fundit në portën e belgëve.

Ndërkohë edhe pse nuk shënoi, Shaqiri ishte ndër futbollistët më të disponuar për lojë te Lioni, skuadër kjo që falë golave të shënuar Slimani (61’, 63’) dhe Toko Ekambi (90+2’) mundi Sparta Pragën me shifrat 3:0, duke siguruar kështu një vend për 1/8 e finaleve.

Leave a Reply