Shkëndija fiton dhe paralajmëron FC Shkupin në prag të ndeshjes së mërkurës (VIDEO)

Shkëndija ka regjistruar një fitore me shumë vuajtje, por shumë të vlefshme në ndeshjen e javës së 16-të kundër Pelisterit, njofton “infOSport.mk”.

Edhe pse “kuqezinjtë” nga Tetova llogariteshin favoritë absolut para fillimit të takimit ndaj skuadrës së vetme që ende nuk ka shijuar aromën e fitores në Ligën e Parë, gjërat nuk shkuan ashtu si duhet, sidomos në pjesën e parë, kur pavarësisht rasteve për gol të skuadrës vendase, mysafirët arritën të shënojnë dhe në pushim të shkojnë me epërsi.

Golin e vetëm në këtë pjesë dhe më të bukurin e takimit, e realizoi ish futbollisti i Shkëndijës, Viktor Nildo Xhufo, i cili në mënyrë perfekte ekzekutoi goditjen e dënimit në minutën e 43-të, duke shënuar një eurogol të vërtetë për epërsinë e Pelisteit, 0:1.

Ky rezultat bëri që Akrapoviç të reagojë në fillimin e pjesës së dytë, duke inkuadruar përnjëherë plotë 4 lojtarë të rinj. Nafiu, Timovski, Doriev dhe Guera Djou zurën vendet e Elezit, Muratit, Merxhanit dhe Nezirit, me ç’rast loja e Shkëndijës përfitoi edhe më shumë në tempo.

Nuk kaluan 3 minuta të plota nga kjo pjesë dhe Shkëndija barazoi shifrat me anë të Sidrit Gurit, për të cilin ishte ky goli i 5-të në 9 ndeshje të zhvilluara. Sulmuesi nga Shqipëria mjaft mirë shfrytëzoi harkimin e Adenis Shalës nga e majta, duke shënuar një gol të bukur me kokë për rezultat 1:1.

Sulmet e “kuqezinjëve” vazhduan edhe më tej, ndërsa gjithë kjo dha rezultatin e duhur në minutën e 84-të, kur Jan Krivak me kokë shënoi golin e dytë, pas harkimit të bukur të Nafiut nga e djathta.

Ky gol solli gëzim në mesin e futbollistëve vendas, por edhe tifozëve “Ballistët”, të cilët ndezën flakadane, teksa një prej tyre mund të përfundonte me pasoja fatale për kapitenin Egzon Bejtullai.

Megjithatë gjithçka përfundoi mirë dhe pa ndonjë rrezik serioz për kapitenin e “kuqezinjëve”, i cili me shokët e tij të skuadrës arriti fitoren e 5-të në 6 ndeshjet e fundit, duke paralajmëruar në këtë mënyrë FC Shkupin, liderin aktual, me të cilët do të përballen në mesjavë në Çair të Shkupit. (infOSport.mk)

Leave a Reply