Grasshoppers, që njihet si skuadra më e madhe zvicerane, në shtetin helvetik njihet edhe si skuadër e shqiptarëve.
Shumë futbollistë shqiptarë ndër vite kanë arritur deri në ekipin e parë të këtij gjiganti zviceran, derisa së fundmi y klub u ka vazhduar kontratat dy talentëve të mëdhenj nga Kosova.
Fjala është për sulmuesin fantastik Leonardo Uka, i cili ka shkëlqyer këtë edicion me fanellën e U21 duke shënuar vazhdimisht, si dhe për mesfushorin ofensivë, Dion Kacuri që gjithashtu ka pasur ndeshje shumë të mira tek juniorët e Grasshoppers.
20-vjeçari Uka që luan në rolin e sulmuesit anësorë ka arritur të shënojë 8 gola në 14 ndeshje për Grasshoppers U21, teksa ka nënshkruar kontratë profesionale me ekipin e parë deri në vitin 2023.
Kontratë profesionale ka marrë edhe 17-vjeçari Dion Kacuri, i cili së fundmi kishte debutuar edhe me ekipin e parë të Grasshoppers, edhe atë me 31 tetor të vitit të kaluar, kur luajti 4 minutat e fundit të ndeshjes kundër Sionit. Kacuri me Grasshoppers ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2025.
Që të dy futbollistët e talentuar shqiptarë shihen si e ardhmja e klubit “bardhekaltër”, derisa aktualisht te Grasshoppers pjesë e ekipit të parë janë yjet si Amir Abrashi, Ermir Lenjani, Shkëlqim Demhasaj dhe Florian Hoxha.