Anid Abazi: Me FC Shkupin realizova ëndërrën e fëmijërisë, tash pres ta realizojë edhe atë të futbollisit profesionist, të shpallemi kampion

Anid Abazi që nga fëmijëria i është përkushtuar futbollit dhe klubit të zemrës FC Shkupit, me të cilën skuadër ai në fillim të këtij viti nënshkroi edhe kontratën e parë profesionale, shkruan “infOSport.mk”.

Me këtë ai ka realizuar ëndërrën e fëmijërisë, ndërsa tashmë që në vitin e tij të parë ai dëshiron që të realizojë edhe ëndërrën e një futbollisti profesionist, duke u shpallur kampion me skuadrën e tij të zemrës.

“Me nënshkrimin e kontratës së parë profesionale mua mu plotësua ëndërra e fëmijërisë, që një ditë të luaj me klubin tim të zemrës. Si duket këtë edicion unë do të kem edhe shumë fat, pasi me FC Shkupin jemi në rrugën e duhur që të shpallemi kampion, ëndërr e çdo futbollisti, në veçanti kur një gjë të tillë bënë me klubin e zemrës” – u shpreh fillimisht Anid Abazi, i cili pa ndihmën e familjes së tij nuk do të mund të ishte këtu, ku është sot.

“Më duhet patjetër të them se pikërisht përkrahja e madhe nga familja ime ka bërë që unë mos të dorëzohem në asnjë moment. Ndaj shfrytëzoj rastin që ti falënderojë publikisht, në veçanti kushëririn Jeton Abazi, i cili ka besuar tek unë gjithnjë, duke më ndjekur që nga mosha e re, kur unë me FC Shkupin në kategoritë e reja shpallesha edhe si golashënues më i mirë. Pikërisht përkrahja e këtij të fundit thuajse në të gjitha aspektet,  mua më ka ndihmuar që sot të realizojë ëndërrën time. Jetonin ndonjëherë e kam pas edhe si trajner personal, ndërsa gjithashtu mund të them edhe fansin më të madh, pasi ndjek çdo ndeshje timen dhe të klubit të FC Shkupit” – thotë Anidi, i cili te FC Shkupi gjithnjë bashkë është stërvitur edhe me vëllain e tij, Aganin, ndryshe binjaku i tij.

 


Agan Abazi, talenti shqiptar që e “rrëmben” Muki te Makedonija GJP


Mirpëo pas shumë viteve bashkë, këta dy u ndanë gjatë janarit të këtij viti, me Aganin, i cili vendosi ti bashkohet skuadrës së Makedonija GJ.P, skuadër kjo që po udhëhiqet me mjaft sukses nga ish trajneri i FC Shkupit, Muharem Bajrami.

Për të dy këta emra, flet edhe ish shoku i tyre tek gjeneratat e reja të FC Shkupit, Berin Ibrahimi, i cili shpalos edhe talentin e tyre.

“Me të dy kemi ushtruar bashkë një kohë të gjatë. Jemi gjenerata 2002, ndërsa mund të them se që të dy çdoher ishin shumë të përkushtuar si në stërvitje, ashtu edhe në ndeshje futbolli, ku ndajmë shumë gëzime bashkë. Tashmë kur që të dy kanë arritur të jenë pjesë e ekipeve të para, njëri me FC Shkupin dhe tjetri me Makedonija GJ.P, ju uroj shumë fat dhe me shpresë se në fund Anidi do dalë kampion me skuadrën tonë të zemrës. Suksesit të tij me siguri se do i gëzohemi gjithë shokët, apo më mirë thënë gjenerata që kemi qenë bashkë te FC Shkupi, që është një familje e madhe dhe që gjithnjë prodhon futbollistë të mirë” – theksoi Berin Ibrahimi.

Fjalë miradie për të dy, e në veçanti Anidin, ka edhe kapiteni i FC Shkupit, Fatih Ismaili, një tjetër futbollistë i dalë nga shkolla e skuadrës nga Çairi.

“Ne si skuadër e Shkupit, gjithmonë kemi nevojë për futbollistë të rinj, e sidomos prej atyre që vijnë nga shkolla jonë. Anidi është njëri prej tyre dhe jam i kënaqur personalisht si kapiten i skuadrës. Është talent dhe jo rastësisht është me ekipin e parë. Ka qenë më i dalluari tek gjeneratat e reja dhe besoj që do të rritet edhe më shumë si futbollist profesionist” – u shpreh Ismaili.

Anidi është vetëm 19-vjeç, ndërsa i njëjti vitin e kaluar me FC Shkupin debutoi edhe në ndeshjet e Ligës së Konferencës, duke u paraqitur në ndeshjen e dytë të raundit të dytë të këtij kompeticioni europian kundër skuadrës portugeze të Santa Klara.

Ai këtë edicion është paraqitur edhe në një ndeshje kampionale, ndërsa i njëjti ka luajtur edhe në të gjitha ndeshjet kontrolluese, që FC Shkupi i zhvilloi në Antalia të Turqisë, si parapërgatitje për stinorin pranveror. (infOSport.mk)

Leave a Reply