Disfatë e rëndë e kampionëve në Shtip, Shkëndija mundi Rabotniçkin (VIDEO)

FC Shkupi ka pësuar disfatën e parë si kampion i ri i Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra nga  Çairi pësoi disfatë 4:1 sot në transfertën në Shtip përballë Bregallnicës, skuadër kjo që avansoi me golin e Djokiç në minutën e 15-të.

“Pëllumbat” nga Çairi u kundërpërgjigjën në minutën e 29-të, kur Adentunxhi shfrytëzoi një dhuartë të portierit Denkovski dhe me një goditje nga distanca shënoi një super gol për barazim të rezultatit në 1:1.

Pjesa e dytë doli të jetë edhe më interesante, teksa vendasit arritën të shënojnë edhe 3 gola të tjerë, duke shfrytëzuar në maksimum gabimin e Alvarez, i cili në miutën e 59-të humbi penalti dhe mundësinë që FC Shkupi në ato momente të barazonte shifrat në 2:2.

Autorë të golave për Bregallnicën në pjesën e dytë ishin Djokiç, i cili shënoi golin e dytë personal, si dhe Stojanov dhe Altiparmakovski.

Për dallim nga ndeshja në Shtip që prodhoi plotë 5 gola, në Tetovë në ndeshjen midis Shkëndijës dhe Rabotniçkit u realizua vetëm një gol, edhe atë nga ekipi vendas. Për fitoren e Shkëndijës 1:0 vendosi goli i Lupço Doriev në minutën e 55-të nga penaltia.

Me këtë fitore “kuqezinjtë” nga Tetova rikthehen përkohësisht në pozitën e dytë me 59 pikë, një pikë më shumë se Akademia Pandev e vendit të tretë, skuadër kjo që ka edhe një ndeshje më pak, atë të javës së 30-të kundër Makedonija GJ.P që do ta zhvillojë nesër në Shkup me fillim në ora 17:00. (infOSport.mk)

Leave a Reply