Nga Prishtina në Tiranë, rrugëtimi fantastik europian, Fejnordi kërkon trofe pas 20 vitesh

Roma dhe Fejnordi janë dy skuadrat që do të diskutojnë trofeun e “Europe Conference League” në “Air Albania” më 25 maj. “Ujkesha romake” rikthehet pas 31 vitesh në një finale europiane, teksa skuadra nga Roterdami do të shijojë një duel për trofe pas plotë 20 vitesh.

Fejnord ka fituar një Ligë të Kampionëve dhe dy  Kupa të UEFA-s, të fundit në vitin 2002 përballë Borusia Dortmundit (3:2).

Në Tiranë pritet të zbarkojnë një numër i madh tifozësh italianë dhe holandezë, të cilët njihen për rivalitetin e madh mes tyre dhe problemet që kanë pasur në të kaluarën.

Arne Slot mori drejtimin e Fejnordit në korrikun e vitit të kaluar dhe pak ditë më pas luajti sfidën e parë sezonale në “Europe Conference League” përballë Dritës në “Fadil Vokrri” të Prishtinës.

Ishte 22 korriku i vitit 2021 dhe “Intelektualët” e mbyllnin në barazim pa gola duelin ndaj tulipanëve, ndërsa sfida e kthimit në Holandë përfundoi 3:2 për Fejenordin, që golin e kualifikimit e gjente vetëm në minutën e 90-të përballë një super Drite të Ardian Nuhiut, që zhvilloi një ndeshje të madhe në “De Kuip”.

Marko Simonovski dhe Astrit Fazliu ishin autorët e golave për skuadrën nga Gjilani duke shtangur tifozët holandezë, por tregolëshi i Gil nderoi Fejnordin, që më 25 maj do të diskutojë trofeun përballë Romës së Murinjos në kryeqytetin shqiptar, Tiranën.

Leave a Reply