Voska Sport fiton derbin shqiptarë, Sileksi pëson disfatën e parë sezonale

Voska Sport ka regjistruar fitore të pastërt 3:0 në derbin shqiptarë të javës së 26-të në Ligën e Dytë – Perëndim, duke vazhduar në këtë mënyrë të ruajë pozitën e dytë në renditje, njofton “infOSport.mk”.

Voska Sport në asnjë moment nuk e vuri në dyshim fitoren në takimin e sotëm të zhvilluar në Ohër, duke shënuar dy gola vetëm brenda 45 minutave të para.

Në minutën e 21-të Voska Sport përfitoi një penalti, të cilën megjithatë në gol nuk arriti ta shndërrojë Argjent Gafuri. Goditjen e fantazistit të Voska Sport e ndali portieri mysafir, i cili e devijoi topin në rivënie nga këndi, ndërsa pas ekzekutimit të së njëjtës, Lupçe Trpeski me kokë shënoi për 1:0.

Goli i dytë mban firmën e Mihajllo Jakimoskit, i cili u gjind mjaft mirë para zonës kundërshtare në momentet e fundit të pjesës së parë, kur edhe shënoi për 2:0.

Ky rezultat bëri që Voska Sport të administroi me shumë qetësi edhe pjesën e dytë, në të cilën realizuan edhe një gol tjetër, këtë herë me anë të rezervistit, Emir Aliu.

Ishte kjo fitorja e 18-të sezonale për skuadrën e Voska Sport në 26 javë kampionat, me ç’rast kjo skuadër vazhdon të mbajë pozitën e dytë në tabelë me 58 pikë, 3 më shumë se ndjekësi më i afërt, Vardari.

Këta të fundit sot në Autokomandë të Shkupit mundën liderin, Sileksin, duke i shkaktuar në këtë mënyrë disfatën e parë sezonale. Autorë i golit të vetëm për Vardarin në këtë përballje ishte Ivan Nikolov që në minutën e 9-të.

Gostivari nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola përballë Ohrid Lihnidos, Kadino dhe Veleshta në Shkup barazuan me shifrat 1:1, ndërsa një super ndeshje u zhvillua në Tetovë, ku në fund Teteksi dhe  Korabi barazuan me shifrat 3:3. (infOSport.mk)

Leave a Reply