Numri 1 i Voska Sport, Nefi Useini bashkë me Brajan Din vizituan Komunën e Ohrit

Ish-sulmuesi i kombëtares së Anglisë dhe i klubeve të famshme si Lids Junajted, Shefilld Junajted, Midëlzbrou, Uest Ham, Sanderlend dhe Benfika, Brajan Din, ka qenë mysafir special i KF Voska Sport, ku është mirëpritur nga pronari i klubit, Nefi Useini.

Arsyeja e vizitës së Brajan Din, ishte njoftimi për së afërmi me kushtet e futbollit në qytetin e Ohrit, më konkretisht te skuadra eVoska Sport, infrastrukturën sportive dhe hotelierike si dhe kapacitetet futbollistike të kësaj ane në përgjithësi dhe me moshat e reja në veçanti.

Gjatë qëndrimit në qytetin buzë liqenit, Brajan Din bashkë me pronarin e KF Voska Sport, Nefi Useinin dhe shoqëruesit e tyre u pritën në një takim zyrtar edhe në Komunën e Ohrit nga ana e kryetarit të komunës, Kiril Pecakov, ku u fol për temat në fjalë, ndërsa në saje të bisedimeve në një frymë korrekte si përshtypje e përgjithshme shihej mundësia e bashkëpunimit në të ardhmen.

“Këtu jam me ftesë të Nefi-ut për të pa strukturën e të rinjëve te Voska Sport, të jap mendimin tim nga përvoja ime në vende të ndryshme. Kam luajtur dhe isha si trajner në Norvegji, në fakt nuk kam luajtur, kam qenë trajner në Norvegji, kam luajtur në Portugali dhe kuptohet në Angli. Këto janë përvoja të ndryshme që i kam parë në zhvillimin e futbollistëve të rinjë dhe si fëmijët zhvillohen në atletë. Është mirë që përvojën time mund t’ia përcjell Nefi-ut. Bëhet fjalë për projekt për të rinjtë, Nefiu është shumë ambicioz dhe entuziast i madh i cili dëshiron më të mirën për bashkësinë vendore.” – tha fillimisht Brajan Din, i cili në pyetjen lidhur me ndonjë bashkëpunim konkret me ekipin e Voska Sport, u përgjigj: “Këtu jam para se gjithash për të parë, nuk ka asgjë konkrete. Fillimisht të bëhemi miq dhe punët të fillojnë prej këtu. Nga këndvështrimi im, ky është një vend i mrekullueshëm, ndërsa unë dua të përcjell përvojën dhe dijen time nëse mund të ndihmoj dhe vlerësoj se kjo është shumë e rëndësishme. Më e rëndësishme se çfarëdo që të flasim në mënyrë direkte për të ardhmen. Nëse mund të ndihmoj me dijen time, atëherë jam i lumtur ta përcjell të njejtën.”

Përveç pjesës zyrtare dhe temës së futbollit, pronari i KF Voska Sport, Nefi Useini përfitoi nga rasti që mysafirit nga Anglia t’i prezantojë qytetin e Ohrit, pjesë të historisë dhe vendet më tërheqëse turistike, derisa duke respektuar besimin e tij katolik, ish futbollistit anglez, i’u organizua edhe një vizitë në Kishën Katolike të qytetit të Ohrit.

Palët u ndanë të kënaqura nga kontakti i parë, mundësia e bashkëpunimit eventual për të ardhmen mbetet e hapur, derisa si vazhdimësi e këtij takimi, javën e ardhshme paralajmërohet ardhja në Ohër e një tjetër delegacioni nga Anglia.

Leave a Reply