Neziri: Struga Trim Lum gati për të bërë edhe atë hapin final

Bashkë me trajnerin Shpëtim Duro, sot në Konferencën e zakonshme për shtyp para gazetarëve nga tabori i Struga Trim Lum, foli edhe mbrojtësi, Mexhit Neziri.

Ai skuadrës strugane iu bashkua verën e kaluar nga rradhët e Shkëndijës, dhe që nga ardhja e tij, Struga Trim Lum po shënon në vazhdimësi suksese të njëpasnjëshme.

Kjo po bënë të lumtur vetë Nezirin, i cili shpreson se Struga Trim Lum ka forcën e duhur për të bërë edhe atë hapin final nesër në ndeshjen kundër Breidablik.

“Ndjehem shumë i lumtur që jam pjesë e Struga Trim Lum gjatë kësaj periudhe, ku Struga çdo hap të saj arriti të bëjë histori, fillimisht me fitimin e titullit kampion, dhe pastaj çdo raund në ndeshjet ndërkombëtare, d.m.th çdo kalim të turit Struga Trim Lum bënte histori. Për këtë mund të them se jam shumë i lumtur dhe shpresojm se do ta bëjmë atë hapin final, që na ka mbetur, për tu kualifikuar në grupet e Ligës së Konferencës” – u shpreh fillimisht Mexhit Neziri, i cili shpreson se skuadra e Struga Trim Lum do të vazhdojë të befasojë, ashtu siç ka bërë deri më tani .

“Shpresoj se do të vazhdojmë me ndeshjet e tilla që i kemi zhvilluar deri më tani, pra siç thamë edhe më herët ky është hapi final dhe do të mbledhim të gjitha forcat, gjitha energjitë, fokusin maksimal, që do të japim në këtë ndeshje, që ekipi të bëjë një rezultat sa më të mirë” – vijoi Neziri, i cili foli edhe për bashkëpunimin që ka me shokët e skuadrës në vijën e fundit të mbrojtjes.

“Sigurisht që po, çdo ndeshje që e zhvillojmë me kolegët në mbrojtje, ajo na jep një përvojë që sa më shumë të njohim njëri tjetrin, dhe kjo është ndeshje, në të cilën do ti japim të gjitha energjitë, gjitha atomet, që ekipi të ketë sa më shumë sukses” – përfundoi Neziri, i cili deri më tani ka qenë i pazëvendësueshëm në krahun e djathtë të mbrojtjes, duke zhvilluar të gjitha 6 ndeshjet europiane.

Ndeshja midis Struga Trim Lum dhe Breidablik zhvillohet nesër në stadiumin e qytetit në Ohër me fillim në ora 17:00. (infOSport.mk)

Leave a Reply