Klube nga Kosova dhe një nga Norvegjia po interesohen seriozisht për portierin e Shkëndijës, Astrit Amzai

Astrit Amzai mund të jetë lojtari i rradhës që mund të largohet nga Shkëndija, njofton “infOSport.mk”. Falë paraqitjeve të tij me fanellën e skuadrës kampione në fuqi, Amzai ka zgjuar interesim serioz nga disa skuadra jashtë Maqedonisë.

I rritur në shkollën e futbollit të Shkëndijës, Amzai arriti ekipin e parë përmes disa huazimeve, duke u shndërruar në titullar sezonin e kaluar, kur Shkëndija me të në portë riktheu titullin e kampionit në Tetovë.

Edhe pse ardhja e Baboucarr Gaye e ka shtyrë në plan të dytë këtë edicion, 23-vjeçari ka gjetur sërish hapësira, duke u aktivizuar në ndeshjet e Kupës dhe në katër paraqitje kampionale.

Paraqitjet e sezonit të kaluar dhe angazhimi në këtë kampanjë me një skuadër si Shkëndija nuk kanë kaluar pa u vënë re. Sipas burimeve të “infOSport.mk”, në adresë të Amzait kanë mbërritur oferta nga disa klube kosovare, ndërsa gjithashtu ka interesim edhe nga një skuadër e kategorisë së dytë të Norvegjisë.

Megjithatë gardiani tetovar ka kontratë me Shkëndijën, dhe pavarësisht konkurrencës në portë, ai vazhdon të gëzojë besimin e stafit teknik.

Klubi kuqezi synon që edhe në këtë repart të ketë dy zgjidhje serioze dhe cilësore, duke e konsideruar Amzain një pjesë të rëndësishme të projektit, ashtu që mbetet nëse klubet e interesuara do të bindin drejtuesit “kuqezi” për të lënë të lirë Amzain, i cili në Ligën e Parë numëron 37 ndeshje, ndërsa 3 ndeshje të tjera numëron edhe në garat europiane. (infOSport.mk)

Leave a Reply