Struga Trim Lum tashmë për të pestën ditë me rradhë po stërvitet në Strugë në prag të startit të stinorit pranveror. Nën urdhërat e safit teknik me në krye Bledi Shkëmbin, përgatitjet po vijojnë sipas planit, pavarësisht kushteve klimatike që po mbizotërojnë në vendin tonë.
Ekipi strugan dje u stërvit në kushte bore, ndërsa ashtu pritet të jetë edhe ditëve që pasojnë. Mirëpo nga tabori i Struga Trim Lum njoftojnë se kushtet do të ndryshojnë rrënjësisht nga data 17 janar, kur i gjithë ekipi do të transferohet në Antalia të Turqisë, aty ku tashmë kjo skuadër ka caktuar edhe 4 ndeshje kontrolluese.
Ndeshjen e parë do ta zhvillojnë me datë 19 janar kundër skuadrës sllovake të Trencin, ndërsa tre ditë më vonë (22 janar) për kundërshtarë do të kenë skuadrën nga Uzbekistani, Pakhtakor FC.
Me datë 25 janar ata do të përballen me ekipin e njohur rus, Rubin Kazan, pjesë e së cilës skuadër janë edhe tre futbollistët shqiptarë, si Mirlind Daku, Veldin Hoxha dhe Dardan Shabanhaxhaj, derisa ndeshjen e fundit në tokën turke do ta zhvillojnë me datë 30 janar kundër skuadrës tjetër nga elita e futbollit rus, Sochi.
Këto ndeshje pritet t’i japin ekipit ritmin e duhur garues dhe mundësinë për të arritur formën e duhur para ndeshjeve zyrtare të stinorit pranveror.
Struga Trim Lum në Antalia të Turqisë do të qëndrojë deri më datë 31 janar, për tu rikthyer sërish në Strugë, aty ku do të vijojnë edhe me fazën e fundit të përgatitjeve para startit të pjesës së dytë të sezonit 2025/26, që starton me datë 11 shkurt. (infOSport.mk)
