Vazhdojnë largimet e njëpasnjëshme nga rradhët e FC Shkupit, skuadër kjo që po kalon momentet e saj më të vështira në histori. Kur të gjitha skuadrat kanë startuar me përgatitjet për stinorin pranveror, nga tabori i klubit nga Çairi asnjë zë.
Qetësi absolute nga Çairi i zhurmshëm dikur, kur tribunat ushtonin madje edhe në seanca stërvitore.
Ishin ato kohë të arta, kohë që për momentin po i mungojnë FC Shkupit, e më shumë “Shvercerave”, tek të cilët është shpresa e vetme për të shpëtuar një ndër skuadrat më me emër në futbollin vendor.
Të njëjtit tashmë i kanë dërguar edhe një ultimatum përfundimtarë presidentit, Jasin Konjali, nën drejtimin e të cilit FC Shkupi vetëm po fundoset.
Ishte kapiteni Suhel Muharemi që braktisi i pari këtë anije, për të vijuar më pas edhe trajneri Minas Osmani si dhe mbrojtësi i krahut të djathtë, Davor Serafimov.
Kësaj liste të largimeve së fundmi i janë shtuar edhe portieri gjerman, Maximilian Grote si dhe sulmuesi Zani Nazifi.
Bazuar në situatën aktuale, ky trend i largimeve pritet të vazhdojë edhe ditëve, apo edhe javëve në vijim, e që realisht nuk është një paralajmërues aspak i mirë, pasi shtrohet pyetja, me çfarë futbollistë do të paraqitet FC Shkupi në pjesën pranverore.
Kujtojmë, stinorin vjeshtorë skuadra nga Çairi e mbylli në pozitën e fundit me vetëm një pikë në 16 ndeshje të zhvilluara. (infOSport.mk)

