Cristian Chivu rikthehet te Interi, mirëpo këtë herë në rolin e trajnerit. Ish futbollisti i kombëtares rumune, pjesë e asaj “triplete” me Interin, në kohën kur për “zikaltërit” luante edhe Goran Pandev, edhe zyrtarisht është emëruar në postin e kryetrajnerit te skuadra nga “Xhuzepe Meaca”, me të cilët ka nënshkruar kontratë deri në qershorin e vitit 2027.
Edhe pse ende nuk është caktuar zyrtarisht, ndihmës i Chivu pritet të jetë argjentinasi Valter Samuel, një tjetër emër i njohur për tifozët “zikaltër”.
Chivu pasi u zyrtarizua si trajner, foli për herë të parë si trajner i “zikaltërve”: “Përshëndetje interista. Është një nder dhe krenari të kthehem për të përfaqësuar këto ngjyra”.
Cristian Chivu ka kaluar nëpër përvoja dhe sfida me rëndësi të madhe, ngjarje që e kanë formuar atë si njeri dhe profesionist, duke e lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me ngjyrat zikaltër. Nga sot ai kthehet për të përfaqësuar në aventurën e tij të tretë te Interi, si trajner i ekipit të parë.
