Jesper Ostlund është emëruar në postin e seleksionuesit të përfaqësueses së Kosovës në hendboll, në konkurrencë të meshkujve. Suedezi Ostlund u prezantua sot nga presidenti i FHK-së, Edin Kolgeci, përmes një konference për media të mbajtur në Prishtinë, teksa njëkohësisht para gazetarëve të pranishëm u bë i ditur edhe emri i ndihmësit të tij, Jasmin Zhuta, një shqiptarë me origjinë nga Struga e Maqedonisë së Veriut, njofton “infOSport.mk”.
Ostlund ka karrierë shumë të suksesshme si trajner në Suedi, ndërsa tani i njëjti do të drejtojë edhe përfaqësuesen hendbollistike të Kosovës.
Ai e udhëheq prej vitit të kaluar skuadrën elitare të Suedisë, Hallby, me të cilën ka arritur suksese historike. Hallbyn e ka drejtuar edhe prej vitit 2018 deri në vitin 2022. Më pas për dy vjet ishte trajner i klubit të njohur suedez, Savehof.
Me Savehofin i fitoi dy tituj të kampionit dhe dy kupa të Suedisë në konkurrencë të femrave.
Jesper Ostlund gjithashtu ka drejtuar me sukses të plotë edhe Kombëtaret e grupmoshave të reja të Suedisë.
Ostlund në edicionin e kaluar e ka udhëhequr për herë të parë në histori Hallbyn drejt plejofit të kampionatit suedez. Në vitin 2020 u shpall trajner i vitit në Suedi, në konkurrencë të meshkujve. Hallbyn e promovoi në elitë pas 53 vjetësh, në vitin 2019.
Me Savehovin ishte trajner në Ligën e Kampionëve, ndërsa me Kombëtaret e reja të Suedisë kishte zënë vendin e katërt, të pestë, të gjashtë dhe të shtatë në kuadër të Kampionateve Evropiane.
Ndihmësi i tij, Jasmin Zhuta, po ashtu ka një karrierë impresive në Suedi. Strugani që jeton dhe vepron në Suedi, ka drejtuar klube të ndryshme dhe shquhet për punën e tij individuale.
Synimi kryesor i dyshes Ostlund-Zhuta, është kualifikimi i Kosovës në një ngjarje të madhe hendbollistike, qoftë Evropian, apo edhe Botëror. (infOSport.mk)
