Mbella: Mezi pres debutimin tim me Shkupin

Futbollisti 24 vjeçar me prejardhje nga Kameruni, Emanuel Mbella është shprehur i kënaqur që më në fund do të ketë të drejtë loje për skuadrën e Shkupit dhe se pret të gëzojë tifozët me lojë të mirë dhe gola.

Ai te skuadra “bardhekaltër” nga Çairi erdhi që gjatë merkatos së janarit, mirëpo për shkak dokumentacionit jo të plotë, ai nuk mund të luante në ndeshje zyrtare me Shkupin.

Ai kishte probleme me ish skuadrën e tij, Bylisin e Ballshit nga Shqipëria, që nuk dëshironte ti prish kontratën futbollistit 24-vjeçar, i cili vetëm dje morri përgjigje pozitive nga ana e FIFA-s, pas ankimimit të rastit të tij në këtë institucion botëror të futbollit.

“Natyrisht se ndjehem shumë i kënaqur për faktin që tani më do të kem mundësi të luajë për Shkupin dhe të dëshmohem para tifozëve të cilët janë më të mirët në Maqedoni. Kam punuar mirë me me ekipin, më kanë mirëpritur shumë mirë këtu, si stafi, lojtarët dhe kryesia e klubit, andaj në një atmosferë të këtillë, nuk besoj se do të mungojë dhe rezultati pozitiv”, – ka thënë Mbella.

Mbella i cili te Shkupi do të bartë fanellën me numër 19, pritet të debutojë që në ndeshjen e 01 prillit kundër Pelisterit, ndeshje kjo që do të luhet në Çair para tifozëve më të mirë në Maqedoni, siç e thotë vetë futbollisti kamerunas me pasaportë franceze.

Leave a Reply