“Autori” i dronit me banderolën “AUTOCHTHONOUS” mbi stadiumin e Beogradit në ndeshjen Serbi-Shqipëri më 14 tetor 2014 është arrestuar gjatë ditës së sotme në Itali, njofton “panorama-sport”.
Ismail Morina, i njohur ndryshe si “Ballisti” është ndaluar nga policia e Xhenovës në zonën e malit Faske ku ishte duke fluturuar një dron me telekomandë.
Rregullat e përdorimit të pajisjeve të tilla e ndalojnë aktivitetin gjatë natës dhe në zona të veçanta si mali Faske, ndaj policia i ka sekuestruar Ballistit dronin dhe telekomandën e tij. Pas arrestimit, për 35-vjeçarin shqiptar u mor vendimi i përjashtimit të tij nga territori i komunës së Xhenovës. Ballisti dhe familja e tij jetojnë në Itali në një provincë të Milanos.
Droni bëhet shkak për një arrestim të dytë të tijin, pas atij në Tiranë në tetor të 2015-s. Duke patur parasysh ngjarjet e ndodhura në Beograd, policia shqiptare e arrestoi Ismail Morinën pak ditë para zhvillimit të ndeshjes së kthimit Shqipëri-Serbi si një masë për mbarëvajtjen e ndeshjes. Gjatë arrestimit në Tiranë atij iu gjet një pistoletë pa lejë dhe 30 bileta për ndeshjen që do të zhvillohej në “Elbasan Arena”.