Gjithçka gati, Messi drejt rinovimit me Barcelonën

Messi dhe Barcelona do të vazhdojnë dashurinë  e tyre. Sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle, Barcelona dhe Mesi duket se po shkojnë drejt rinovimit të kontratës, e cila i përfundon argjentinasit verën e ardhshme.

Ditë më parë nga Spanja dolën disa informacione, kinse Messi i ka thënë “jo” Barcelonës, që i kish ofruar atij një pagë neto prej 35-40 milionë eurosh.

Por tanimë situata duket se ka ndryshuar, pasi sipas “El Mundo Deportivo” tashmë bisedimet janë në rrugë të drejtë dhe rinovimi është thjesht çështje kohe.

Një gjë të tillë një ditë më parë pohoi edhe zëvendëspresidenti i “katalunasve”, Zhordi Mestre, duke potencuar se është gati kontrata e re e Messit që do të jetë valide deri në vitin 2022.

Atëherë sulmuesi argjentinas do të jetë 35-vjeç, dhe është ky një sinjal i qartë se Messi karrierën e tij do ta mbyllë pikërisht te Barcelona.

Presidenti i “katalunasve”, Bartolemeu dhe babai i yllit argjentinas Horge Messi, vijojnë me bisedimet dhe pritet që shumë shpejt të zyrtarizojnë marrëveshjen e re.

Leave a Reply