Shtutgarti pas dyshes shqiptare, Alioski – Bardhi

Shtutgarti që këtë sezon u rikthye në Bundesligë, që tani është duke menduar për përforcimin e skuadrës, me qëllim që sa më e përgatitur të pres sezonin e ri në mesin e më të mirëve. Drejtuesit e kësaj skuadre ndër futbollistët e preferuar, në listën e tyre kanë edhe dy futbollistët shqiptarë, Ezgjan Alioski dhe Enis Bardhi.

Që të dy shkëlqyen me ekipet e tyre në sezonin e fundit, ashtu që paraqitjet e tyre kanë bindur edhe drejtuesit e Shtutgartit, që pritet të hidhen në aksion.

Alioski me Luganon e tij kishte një sezon të shkëlqyer, duke shënuar 16 gola dhe duke asistuar në 14 gola të tjerë.

Një gjë të tillë kanë vërejtur skautët e Shtutgartit, të cilët e kanë propozuar atë te drejtuesit e tyre. Mediat gjermane shkruajnë se skuadra e rikthyer në Bundesligë, është e gatshme të paguajë 2 milion euro për shërbimet e futbollistit shqiptarë nga Prilepi, i cili me Luganon ka kontratë deri në verën e vitit 2018-të.

Ashtu sikurse për Alioskin, edhe për Enis Bardhin drejtuesit e Shtutgartit do të duhet të ndajnë një shumë të konsiderueshme të hollash, duke pasur parasysh se edhe futbollisti shkupjan është në kontratë me Ujpeshtin.

Bardhi zhvilloi një ndër sezonet më të mira së fundmi me fanellën e skuadrës hungareze duke shënuar 12 gola dhe duke asistuar në 7 të tjerë në 29 ndeshje të zhvilluara gjatë sezonit të fundit në elitën e futbollit hungarez.

Skautë të Shtutgartit madje kanë prezantuar në dy ndeshje të Ujpeshtit, për të parë nga afër futbollistin shkupjan, i cili me skuadrën hungareze ka kontratë deri verën e vitit 2020.

Mirëpo përveç Shtutgartit, interesim për shërbimet e Bardhit ka edhe nga gjgandët e Borusia Dortmundit, që gjithashtu një kohë të më të gjatë janë duke ndjekur zhvillimin e këtij super futbollisti, e ardhmja e të cilit me shumë gjasa do të vendoset vetëm pas Evropianit për të rinj në Poloni, ku Bardhi me Maqedoninë do të luajnë për herë të parë në një event të madh futbollistik.

Leave a Reply