Reagon Skënderbeu: Do të apelojmë  në CAS

Pas heqjes së titullit kampion për sezonin 2015/2016, vjen edhe reagimi i Skënderbeut. Klubi korçar e ka quajtur të paprecedentë këtë vendim të Komisionit të Etikë, ku përmes një deklarate për shtyp shprehet se është një dënim i pakuptimtë dhe se do ta apelojnë në CAS.

Ja reagimi i plotë i skuadrës korçare:

“Klubi i Futbollit ‘Skënderbeu’ bën me dije tifozërine Korçare dhe opinionin sportiv se, menjëherë pas vendimmarrjes së Komisionit të Etikës të FSHF, është kërkuar zyrtarisht argumentimi i vendimit, si hapi proçedurial paraprak për ankimimin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS-TAS).

Vendimi i ditës së sotme nga ky pseudo-organ juridik është një akt i papreçedent, i denjë për katedrat e universiteteve të drejtësisë. Vetëm një organ i FSHF mund të transformonte një vendim administrativ në një vendim disiplinor, pa pasur qoftë edhe një provë të vetme të drejtpërdrejtë apo indirekte mbi të akuzuarin. Vetëm një organ i FSHF mund të proçedonte ndaj një subjekti pa i komunikuar atij akuzën, provat mbi te cilat ajo mbështetej apo subjektin akuzues. Vetëm Komisioni i Etikës i Federates Shqiptare të Krimit në Sportin e Futbollit mund të jepte një vendim ku vërtetësia e fakteve nuk ka asnjë relevancë.

Klubi i Futbollit ‘Skënderbeu’ siguron tifozërinë Korçare se ky cënim dhe kërcënim që na është bërë sot nga ana e Komisionit të Etikes, veçanerisht me heqjen e një titulli kampion të cilën vetë UEFA e ka konsideruar mëse të merituar, do të ankimohet në çdo gërmë të tij, pasi jemi të sigurt në pafajësinë tonë të pakundërshtueshme.

Falenderojmë sportdashësit dhe komunitetin të cilin e kemi përfaqësuar dënjësisht gjatë kësaj dekade për mbështetjen dhe solidaritetin e treguar. Të sigurt, vazhdojmë përpara për të rishkruar çdo vit historinë e futbollit Shqiptar!”.

Leave a Reply