Kliçko pensionohet, nuk do të ketë revansh me Xhoshuan

Vladimir Kliçko ka vendosur të tërhiqet nga boksi, duke hequr dorë nga një revansh me Entoni Xhoshua, që po pritej me interes të madh nga gjithë sportdashësit.

Ukrainasi u mposht nga Xhoshua në sfidën e zhvilluar në prill dhe britaniku kishte dhënë “ok” për një tjetër përballje kolosale në Las Vegas, më 11 nëntor. Megjithatë, 41-vjeçari Kliçko bëri të ditur publikisht se ka vendosur të varë dorezat në gozhdë, pas një karriere 21-vjeçare.

Legjenda e peshave të rënda tërhiqet nga boksi pasi fitoi 64 ndeshje dhe humbi 5 prej tyre. Vladimir Kliçko ka qenë boksieri më i mirë i planetit në vitet 2000 dhe ka mbajtur disa tituj: IBF, WBA, WBO dhe IBO.

Ai u bë i njohur fillimisht në vitin 1996, kur si amator fitoi medaljen e artë, në Lojërat Olimpike të vitit 1996.

Dy vjet më vonë, ai u bë profesionist dhe arriti fitoren e parë me “K.O” ndaj Markus McIntyre, duke nisur një aventurë që në fund do ta bënte ndër më të mëdhenjtë e këtij sporti.

Leave a Reply