Zhuta dhe Ahmedi vetëm një hap larg Ligës së Kampionëve

Dy futbollistët shqiptarë nga Maqedonia Leonard Zhuta dhe Valon Ahmedi janë vetëm një hap larg kualifikimit në Ligën e Kampionëve me skuadrat e tyre, Rijekën, gjegjësisht, Mariborin.

Që të dyja skuadrat ballkanase arritën që të kualifikohen në fazën “play-off” të Ligës së Kampionëve Evropian, pasi të mërkurën në mbrëmje eliminuan Salzburgun, gjegjësisht, Hafnarfjordur.

Leonard Zhuta nuk luajti asnjë minutë ndaj austriakëve të Salzburgut, ndaj të cilëve skuadra kroate e Rijekës nxorri barazimin e dëshiruar pa gola, pas atij barazimi 1:1 në transfertë. Për dallim nga Zhuta, për gjatë 90-të minutave te Rijeka në këtë përballje u paraqit futbollisti i përfaqësueses së Maqedonisë, Stefan Ristovski, emri i të cilit kohëve të fundit po lidhet ngushtë me një transferim të mundshëm te Sportingu i Lisbonës.

Ndërkohë Valon Ahmedi, futbollisti me origjinë nga Ohri, luajti sërish ndaj islandezëve të Hafnarfjordur, ndaj të cilëve sllovenët e Mariborit shënuan edhe një fitore tjetër identike (1:0), njëjtë sikurse edhe në Slloveni.

Valon Ahmedi luajti deri në minutën e 83-të, duke u zëvendësuar nga ana e Hotiç.

Talenti 22-vjeçar kishte qenë titullarë edhe në ndeshjen e parë, kur kishte luajtur deri në minutën e 74-të, ndërsa vlen të përmendet se në dy ndeshjet e turit të dytë eliminatorë ndaj boshnjakëve të Zrinjskit, Valon Ahmedi kishte luajtur për gjatë 90-të minutave.

Edhe Zhuta, edhe Ahmedi, emrin e skuadrave kundërshtare, me të cilat do të luajnë në fazën e “play-off”, do ta mësojnë të premten, pas hedhjes së shortit në Nion të Zvicrës.

Leave a Reply