Çmime marramendëse para stadiumit në Shkup në  prag të ndeshjes midis Realit dhe Junajtedit

Edhe pak orë kanë mbetur deri në fillimin e përballjes mes Real Madridit dhe Mançester Junajtedit, ndërsa shitësit mundohen që të shfrytëzojnë në maksimum praninë e qindra tifozëve në stadiumin e qytetit në Shkup.

UEFA ka miratuar punën e objekteve përreth stadiumit, ndërsa tifozët e futbollit që do të jenë të pranishëm në stadium do të kenë mundësi të blejnë suvenire, fanella të klubeve dhe rekuizita tjera.

Kur është në pyetje freskimi i shikuesve, para stadiumit janë vendosur tenda vetëm për prodhuesit-partnerë të UEFA-s, në të cilat do të mund të blehen pije të gazuara, alkool dhe ushqime, por me çmime marramendëse, shkruan Telegrafi Maqedoni.

Pijet e gazuara dhe çaj i ftohtë do të shiten për 200 denarë ose 3,3 euro. Me të njëjtin çmim do të shitet edhe kafja. Ndërsa nëse dëshironi të pini ujë duhet të ndani 150 denarë ose 2,5 euro, për një shishe prej 0,4 litra.

Ushqimet si sendviç, kikirikë dhe kruasan do të jepen për 150 denarë, ose 2,5 euro. Me çmim më të shtrenjtë do të shiten birrat, të cilat do të jepen me çmim deri në 250 denarë ose 4 euro.

Ndeshja e Super Kupës ka shkaktuar edhe pritje të gjata në kalimet kufitare. Nga LAMM njoftojnë se në kalimet kufitare nga ana e Maqedonisë, pritet 20 deri 30 minuta.

Leave a Reply