KF Kukësi: Emini nuk mund të largohet pa miratimin tonë

Drejtuesve të Kukësit nuk u ka pëlqyer aspak fakti që futbollisti i tyre, siç pretendojnë ata, Izair Emini ka dalë në stërvitje me Shkëndijën. Ata pretendojnë se Emini bashkë edhe me Lenën, Allën dhe Koliçin, ende janë në kontratë me Kukësin dhe se janë ata që do të vendosin për të ardhmen e tyre, nëse do të largohen, ose ende do të mbeten pjesë e skuadrës verilindore.

Lidhur me rastin e Eminit, gazeta “sportekspres” ka kontaktuar zyrën e shtypit, e cila kishte dhënë dhe qëndrimin zyrtar, teksa sqaruan se tashmë do të ndërmerren dhe hapat juridik për ta ndjekur këtë çështje: “Emini është nën kontrate me ekipin e Kukësit. Dalja në stërvitje me ekipin e Shkëndijës bie ndesh me marrëveshjen e nënshkruar mes palëve. Klubi do te marrë të gjitha masat për lojtarin dhe do të jetë zyra juridike që do të merret me gjerësisht me këtë çështje edhe në FSHF. Asnjë lojtar që është nën kontratë me Kukësin nuk mund të largohet pa miratimin e klubit. Emini s’bën përjashtim”.

Një situatë kjo aspak e favorshme për të dyja palët, që tashmë janë zyrtarisht në një “luftë” të hapur. Emini pretendon se nuk është në kontratë me Kukësin dhe ka paralajmëruar ankimim në FSHF, por edhe në FIFA, teksa nga tabori kuksian vazhdojnë të mbajnë qëndrim se Emini duhet sërish të paraqitet në stërvitje dhe ti bashkohet pjesës tjetër të skuadrës.

Leave a Reply