Reali triumfon në SuperKupën e Evropës në Shkup (VIDEO)

Shkupi me fat për Realin e Madridit. Janë “mbretërit” ata që triumfuan në ndeshjen finale të SuperKupës së Evropës, pasi sonte në “Telekom Arena” në Shkup mundën Mançester Junajtedin me rezultatin 2:1.

Reali i Madridit ishte skuadër më e mirë në fushë dhe në fund me meritë i’a doli të triumfojë përballë “djajve të kuq”, të cilët rastin për të rrëmbyer një trofe evropian do të duhet ta kërkojnë viteve në vijim.

Kasemiro paralajmëroi fitoren e “mbretërve” me golin e realizuar në minutën e 24-të, ndërsa po i njëjti futbollist minuta më herët kishte goditur traverzën.

Me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim, teksa pas një aksioni të bukur në minutën e 52-të Isko shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e De Geas.

Lukaku 10 minuta më pas bëri që Mançesteri të shpresojë, duke përfituar nga një devijim i portierit Navas, pas goditjes së Nemanja Matiç.

Junajtedi deri në fund të takimit tentonte të rigjente edhe golin e dytë, atë të barazimit, mirëpo megjithatë ishte Reali që pati raste më konkrete, ashtu që në fund me meritë Reali iu gëzua SuperKupës së Evropës, trofe këtë që e kishte fituar edhe vitin e kaluar kur kishte mundur Seviljën.

Ndryshe ishte ky trofeu i katërt i Realit të Madridit në kuadër të SuperKupës së Evropës.

Leave a Reply