Nuhiu: Rabotniçki kundërshtarë serioz

Sezoni i ri për Renovën do të nis me një derbi kundër një ndër skuadrave më të mira në vendin tonë Rabotniçkit. Është kjo përballja tjetër interesante e javës së parë në elitën e futbollit vendor, pas derbit të madh midis Shkëndijës dhe Vardarit, që gjithashtu zhvillohet nesër.

“Ndeshje derbi do ta quaja, pas asaj Shkendija – Vardar. Rabotnicki gjithmonë është një kundërshtar serioz dhe i vështirë me pretendime për Europë çdo sezon. I respektojmë në maksimum, por mund të them se jemi të përgatitur që të marrim një rezultat pozitiv. Fitore apo barazim do ishte rezultat i mirë për ne” – u shpreh kapiteni i gjipspunuesve, Fisnik Nuhiu, i cili gjithashtu foli edhe për përforcimet e reja të bëra nga ana e të dyja skuadrave, duke potencuar se këtë ndeshje mund ta vendosin edhe momente individuale.

“Edhe nga Rabotniçki, edhe nga Renova janë larguar disa futbollistë mjaft kualitativ gjatë afatit kalimtarë të verës, por përsëri them se jemi dy skuadra me lojtar që mund të bëjnë diferencën. Mendoj se në këtë ndeshje do vendosin momente individuale, apo ndonjë gabim, pasi tereni në Gjorçe Petrov nuk ofron kushte të mira për të treguar ndonjë futboll cilësor” – thotë Nuhiu.

Kapiteni i Renovës është i kënaqur edhe nga puna që kanë bërë drejtuesit e skuadrës gjatë afatit kalimtarë të verës, duke besuar se skuadrën e tij e pret një sezon mjaft interesant.

“Jemi optimist se na pret një sezon interesant me komplet staf teknik të ri dhe futbollistë të rinj. Mendoj se do na kryejnë punë futbollistët e rinj, pasi vërtetë bëhet fjalë për futbollistë mjaft kualitativ dhe me përvojë të madhe, të cilët do i kompensojnë ato largime që ndodhën nga skuadra jonë. Të gjithë ata futbollistë të rinj janë pritur në mënyrën më të mirë, ndërsa në me mikpritjen tonë jemi munduar që t’ua bëjmë më të lehtë adaptimin në skuadër” – përfundoi Fisnik Nuhiu, i cili pjesë e Renovës është që nga viti 2008.

Ndeshja Rabotniçki – Renova do të zhvillohet në stadiumin e Gjorçe Petrovit, me fillim në ora 17:00.

Leave a Reply