A ka kush e ndal këtë Shkëndijë? (VIDEO)

Shkëndija nuk ndalet. Skuadra e trajnerit Qatip Osmani vazhdon të shkëlqejë në elitën e futbollit vendor, duke realizuar edhe fitoren e 7-të në ndeshjen e 8-të jatë këtij sezoni në elitën e futbollit vendor.

“Kuqezinjtë” sot në Tetovë dolën fitues përballë rivalit lokal, Renovës, duke mundur “gjipspunuesit” me rezultatin 2:0 shkruan “infOSport.mk”.

Ishin “bardhekaltërit” ata të cilët të parët u kanosën përmes Argjent Gafurit nga gjuajtja e lirë në minutën e katërt, teksa nuk vonoi shumë dhe vetëm dy minuta më pas Shkëndija u kundërpërgjigj me gol në rrjetën e Kobetiç.

Emini mjaft mirë vepron në zonën kundërshtare, ndërsa edhe më mirë gjenë të vetëm para portës kundërshtare, Ibraimin, i cili nuk e ka të vështirë për të shënuar për 1:0.

Goli i dytë i Shkëndijës erdhi në minutën e 35-të. Zhunior brenda zonës pasoi për Alimin, i cili edhe pse mposhti portierin Kobetiç, ishte Kostov ai i cili ia mohoi golin, mirëpo devijimi i mbrojtësit të Renovës përfundoi vetëm deri tek kapiteni Hasani, i cili me kokë nga afërsia shënoi për 2:0.

Gjatë pjesës së dytë Shkëndija sërish dominonte në fushë, mirëpo edhe përkundër disa tentativave rezultati mbeti i pandryshuar.

Falë kësaj fitore Shkëndija tashmë ka 22 pikë, 8 më shumë se Akademia Pandev e pozitës së dytë, që ka edhe një ndeshje më pak, ndërkohë Renova tashmë pozicionohet në vendin e parafundit me vetëm 6 pikë të tubuara.

Leave a Reply