Reali edhe me barazim siguron finalen e madhe të Ligës së Kampionëve (VIDEO)

Reali i Madridit edhe përkundër barazimit 2:2 sonte në “Santiago Bernabeu” kundër Bajernit të Munihut, edhe për të tretin vit me rradhë do të luaj në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve Europian, njofton “infOSport.mk”.

Ishte kjo një super ndeshje, në të cilën deri në fund Reali nuk ishte i sigurtë, pasi një gol nga ana e Bajernit të Munihut do të dërgonte skuadrën gjermane në finalen e madhe. Vërtetë “bavarezët” do të vujanë shumë, pasi krijuan një morri rastesh para portës së Kejlor Navas, i cili sonte thjesht shkëlqeu në portën e “madrilenëve”.

Bajerni i Munihut avansoi me golin e shënuar nga Kimih që në minutën e 3-të, teksa barazimin skuadrës së Realit të Madridit ia siguroi Karim Benzema me golin e realizuar në minutën e 11-të. Ishte ky rezultati i pjesës së parë, ndërsa një gabim trashanik në fillimin e pjesës së dytë nga ana e portierit Ullrih, bëri që Benzema të shënojë edhe golin e dytë personal, duke i dhënë avantazhin Realit për herë të parë në këtë ndeshje.

Golin e barazimit Bajerni i Munihut e gjeti në minutën e 63-të, kur Hames Rodrigez shënoi në mes këmbëve të Navas, mirëpo edhe përkundër disa rasteve të tjera ideale për gol, Bajerni, nuk arriti që të gjejë golin e tretë, me ç’rast në fund Reali iu gëzua kualifikimit në finalen e madhe, mirëpo vetëm falë fitores 1:2 në ndeshjen e parë në “Alianc Arena”.

Reali i Madridit në finalen e madhe do të pret fituesin nga përballja midis Liverpullit dhe Romës, që në program është nesër mbrëma. Skuadra angleze në ndeshjen e parë në “Enfilld Roud” kishte shënuar fitore me rezultatin 5:2.

Leave a Reply