Sarri te Çelzi merr me vetë edhe Hysajn

Strategu italian edhe pse ende nuk është konfirmuar si trajner i ri i Çelzit, ai megjithatë thuhet se do të pasojë Antonio Konten në bankinën e”bluve” të Londrës,  me synimin për të rikthyer titullin e kampionit në “Stemford Brixh”. Londinezët i kanë premtuar një merkato spektakolare Sarrit, ku në krye të listës qëndrojnë Kulibali dhe Elseid Hysaj.

Të dy mbrojtësat e Napolit janë të preferuarit e Sarrit dhe mund të transferohen në “Stemford Brixh” për shumën e 120 milionë eurove, aq sa është edhe klauzola e tyre (50 për Hysajn dhe 70 për Kulibal).

Gjithashtu pronari i Çelzit, Roman Abramoviç është gati t’i sjellë trajnerit të ri edhe një sulmues me peshë, i aftë të shënojë më tepër se 20 gola në sezon.

Ndër emrat që përmenden si transferime të mundshme të skuadrës së Çelzit, janë ai i Higuain dhe Ikardit.

Transferimi i argjentinasit të Juves duket më i kapshëm, duke pasur parasysh se Çelzi është gati të ofrojë 20 milion euro plus edhe Moratën për të marrë Higuainin në Londër, ndërsa sa i përket kapitenit të Interit, ai ka një klauzolë prej 110 milionë eurosh, ndërsa edhe në këtë rast “londinezët” do të tentojnë që të fusin në marrëveshje sulmuesin e tyre, Alvaro Morata, si dhe 50 milionë euro shtesë.

Leave a Reply