Kosova, Ishujt Faroe do ti mirëpret në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë

Gjithë ata tifoz të flaktë të Përfaqësueses së Kosovës, më në fund do të mund të shohin një ndeshje zyrtare të skuadrës së tyre të zemrës në vendlindjen e tyre, më saktësisht në kryeqendrën e Prishtinës.

Stadiumi plotësisht i rinovuar e i riemëruar me emrin e legjendës së futbollit shqiptarë,  “Fadil Vokrri”, është bërë gati, ndërkohë që ende nuk e ka marrë “aminin” nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit dhe UEFA.

Stadiumi “Fadil Vokrri” është inspektuar ditë më parë nga UEFA në ndeshjen e Superkupës Drita-Prishtina, mirëpo ende nuk është dhënë ndonjë përgjigje definitive. Në pritje të saj është edhe Përfaqësuesja e Kosovës që më 10 shtator do ta zhvillojë ndeshjen e parë në kuadër të Ligës së Kombeve ndaj Ishujve Faroe.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, thekson se deri në këtë datë, stadiumi do të licencohet.

“Ministria e Sportit besoj se do ta licencojë stadiumin pasi që do të kryhen edhe çështjet teknike me punë-kryesin. Sa i përket UEFA-s, shpresoj shumë se do të mbyllet kjo çështje dhe deri më datën 10 shtator, stadiumi do të licencohet. Jam i bindur se më 10 shtator ndeshja Kosovë – Ishujt Faroe do të zhvillohet në stadiumin ‘Fadil Vokrri” në Prishtinë”, ka thënë Agim Ademi për Insporti.

Tutje, Ademi beson se edhe nëse në stadium ka mbetur ndonjë mangësi, është koha e mjaftueshme për tu përmirësuar.

“Mendoj se kemi kohë të mjaftueshme për ta përmirësuar edhe ndonjë kërkesë tjetër që mund të jetë nga UEFA pasi që stadiumi thuajse është gati”, përfundoi Agim Ademi. Krahas ndeshjes me Ishujt Faroe, Kosova më 11 tetor të këtij viti po në Prishtinë pritet që ta sfidojë Maltën.

Leave a Reply