Futsal Shkupi superior ndaj Velesit, hakmarrje që në start për humbjen e titullit sezonin e kaluar

Futsal Shkupi e ka nisur me këmbë të mbarë sezonin e ri në elitën e futsalit vendor, duke shënuar fitore të madhe ndaj rivalit kryesor për titullin e kampionit, Velesit me rezultatin 8:5, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra nga Çairi ishte superiore në këtë përballje, duke mos e vënë në asnjë çast në diskutim fitoren, e cila mund të ishte më e lartë në rast se shfrytëzonin rastet e shumta, sidomos në momentet e fundit kur kundërshtari luante pa portier, në kërkim të golave në rrjetën e portierit Jakupi. Dhe në një farë mënyre mysafirët nga Velesi ia arritën qëllimit, pasi në minutat e fundit të takimit shënuan dy gola, duke ngushtuar epërsinë e vendasve, që në një moment ishte edhe me 5 gola diferencë.

Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2:0, me dy gola të shënuar brenda një minuti. Fillimisht Ivan Sotirovski në minutën e 14-të shënoi për 1:0, ndërsa nuk vonoi shumë dhe Ismet Ceka me një perlë të vërtetë ngriti epërsinë e “bardhekaltërve” në 2:0.

Dyshja Sitirovski-Ceka e kishte fjalën kryesore edhe në pjesën e dytë, kur thjesht ishin të pandalshëm për ekipin mysafir, ndërsa duhet theksuar në këtë pjesë edhe paraqitjen e mirë të kumanovarit, Ylber Alili, i cili me driblimet dhe pasimet e tij çonte peshë të pranishmit në palestrën “Enver Idrizi” në Çair. Sotirovski në pjesën e dytë realizoi edhe 3 gola të tjerë, teksa Ceka edhe dy të tjerë, duke rrumbullaksuar “hat-trikun” e tij të parë në sezonin e ri.

Një gol tjetër për Shkupin në këtë ndeshje realizoi edhe përforcimi i këtij sezoni, Nermin Bishevac, teksa në anën tjetër autorë të golave për Velesin ishin Zoran Levevski (2 gola), Martin Todorovski, Jakup Ramadani dhe Aleksandar Gligorov.

Rikujtojmë Futsal Shkupi edhe ditë më parë kishte mundur Velesin me rezultatin 5:3 në finalen e turneut ndërkombëtarë “Trofeu i Maqedonisë” që u mbajt në Shkup për nder të Ditës së Pavarësisë së Maqedonisë – 8 shtatori, ndërsa fitorja e mbrëmshme ishte e një rëndësie më të madhe, pasi në një farë mënyre “bardhekaltërit” nga Çairi iu hakmorrën Velesit për sezonin e kaluar, kur vetëm në javët e fundit humbën luftën për titullin e kampionit, sidomos pas atij barazimi 3:3 në Veles.

Leave a Reply