Pobeda – Renova, statistika dhe kuriozitete që duhet ti dini

Pobeda dhe Renova sot në stadiumin “Tumbe Kafe” në Manastir do të takohen në kuadër të javës së 5-të në elitën e futbollit vendor. Të dyja skuadrat njihen si skuadra që nuk shënojnë edhe aq shumë, ndërsa një gjë të tillë dëshmojnë edhe ndeshjet e fundit mes tyre, ku në përgjithësi nuk shënohen më shumë se 3 gola. Pobeda në dy ndeshjet e këtij sezoni të zhvilluara si vendas në Manastir shënoi vetëm një gol, edhe atë në fitoren ndaj Bellasicës, ndërsa për gol vuan edhe Renova, që në tre ndeshjet e fundit kampionale ka shënuar vetëm një gol, edhe atë së fundmi në barazimin 1:1 ndaj Makedonija Gj.P.

Nisur nga ky fakt edhe sot pritet një ndeshje shumë e ekuilibruar nga ana e të dyja skuadrave, që do të mundohen sërish të bëjnë sa më pak gabime.

STILI I LOJËS

Pobeda luan një futboll kolektiv, një futboll jo dhe aq të bukur për syrin e shikuesit. Ata më shumë e përqëndrojnë lojën e tyre në mbrojtje, ndërsa më së miri për këtë e dëshmojnë edhe rezultatet e 4 javëve të para, ku në tre ndeshjet e fundit skuadra nga Prilepi nuk ka shënuar asnjë gol.

Sa i përket Renovës, kjo skuadër në rradhët e veta ka individ më të mirë që dallohen në fushë me veprimet e tyre, ata krijojnë më shumë raste, mirëpo në tre ndeshjet e fundit fati nuk ishte me ta, e në veçanti në ndeshjen e fundit kundër Makedonija Gj.P, kur në dy rastet qëlluan shtyllën dhe traverzën.

MUNGESAT

Mungesa e vetme te Pobeda do të jetë mbrojtësi Daniel Karçeski, ndërsa lajm i mirë për trajnerin Meglenski është rikthimi i sulmuesit veteran Geshoski dhe mesfushorit Velkovski, ndërsa gati për debutim është edhe sulmuesi francez, Jani Makota. Probleme rreth futbollistëve të lënduar, apo suspenduar nuk ka as trajneri i Renovës, Jeton Beqiri, i cili sot do të ketë në disponim edhe sulmuesin Emran Ramadani, që ishte suspenduar për dy ndeshje, pas atij kartoni të kuq në ndeshjen e Kupës kundër Tikveshit.

HISTORIA

Pobeda dhe Renova në 20 ndeshjet e fundit në vetëm dy prej tyre kanë barazuar pa gola. Renova numëron 11 fitore, kundrejt 4 fitoreve të Pobedës, teksa 5 ndeshje janë mbyllur me rezultate të barabarta. Këto dy skuadra mes tyre në muajin shtator janë takuar vetëm njëherë, edhe atë me 18 shtator të vitit 2005, kur Pobeda si vendas në Prilep shënonte fitore 2:1. Në përgjithësi ndeshjet mes këtyre dy skuadrave nuk kanë prodhuar më shumë se 2-3 gola, me përjashtim të 3 rasteve kur janë shënuar më shumë se tre gola. Ndeshja që ka dhuruar më së shumti gola mes këtyre dy skuadrave ka qenë ajo e 18 prillit të vitit 2007, kur Renova në Tetovë me rezultatin 4:3 kishte mundur Pobedën.

KRIZË PËR GOLA

Të dyja skuadrat mund të thuhet se për momentin ndodhen në krizë për gola. Pobeda në tre ndeshjet e fundit nuk ka shënuar asnjë gol, ndërsa Renova ka shënuar vetëm një, edhe atë në barazimin 1:1 në ndeshjen e javës së katërt kundër Makedonija Gj.P në Tetovë.

Leave a Reply