Gostivari-Pobeda, statistika dhe kuriozitete që duhet ti dini rreth këtij takimi

Pobeda pas eliminimit të Struga Trim Lum, në kuadër të ndeshjeve të Kupës ka hasur edhe në një tjetër skuadër shqiptare, kësaj rradhe Gostivarit. Skuadra gostivarase para fillimit të sezonit në Ligën e Dytë shihej si një ndër favoritët kryesor, mirëpo ndodhitë e fundit te kjo skuadër, kanë bërë që edhe atmosfera mos të jetë në nivelin e duhur.

Dy disfatat e njëpasnjëshme, fillimisht nga Genç Kalemler dhe më pas edhe nga Gobleni, që të dyja me rezultatin identik 2:3, bënë që të vijnë edhe shkarkimet e para. Fillimisht dorëheqje dha presidenti i klubit, Visar Ademi, e më pas edhe trajneri Mensur Jakupi, i cili drejtoi këtë skuadër për tre vite me rradhë.

Pikërisht këto ndryshime mund të ndikojnë negativisht te kjo skuadër për ndeshjen e sotme ndaj Pobedës, që në anën tjetër në Gostivar udhëton në një atmosferë shumë pozitive, sidomos pas fitores 1:0 ndaj Renovës në kuadër të javës së 5-të në LPFM.

Ndryshe ekipin e Gostivarit në takimin e sotshëm do ta udhëheq Erxhan Menga, i cili gjatë ditës së sotme morri besimin e drejtuesve të skuadrës gostivarase, që beson se me të në krye kanë bërë zgjidhjen e duhur.

MUNGESAT

Te Gostivari edhe për këtë ndeshje jashtë kombinimit mbetet Betim Miftari, teksa te Pobeda sërish nuk do të jetë në gjendje për lojë mbrojtësi Daniel Karçeski.

FUTBOLLISTËT MË TË DALLUAR

Te Gostivari dy futbollistët më të dalluar janë shkupjanët Florent Osmani dhe Fatmir Arifi, edhe pse nuk duhet harruar këtu edhe sulmuesin Lavdrim Skenderi, i cili nga ndeshja në ndeshje po adaptohet edhe më mirë në mjedisin e ri. Skenderi, i cili erdhi nga rradhët e Renovës, ka filluar tashmë edhe të shënojë, ndërsa një gjë të tillë bëri në dy ndeshjet e fundit kampionale, ndaj Genç Kalemler dhe Goblenit.

Në anën tjetrë Pobeda njihet si një skuadër kolektive, ndërsa gëzon fakti se së fundmi në formën e duhur po luan edhe mesfushori me mjaft përvojë Burhan Mustafov. Ky i fundit vendosi edhe ndeshjen e fundit kampionale ndaj Renovës, ndërsa gjithashtu u dallua edhe me lojën e tij në mesfushë.

Në ndeshjen e fundit ndaj Renovës debutoi edhe sulmuesi francez, Makota, ndërsa bashkë me të në sulmin e skuadrës nga Prilepi u paraqit edhe amerikani, Nvabueze. Mbetet të shihet nëse që të dy do të marrin  besimin e trajnerit Meglenski, apo ndoshta për herë të parë këtë edicion nga minuta e parë do të paraqitet Bllagoja Geshoski, sulmuesi veteran te Pobeda që dallohet me golat e tij si dhe një ndër futbollistët më besnik të kësaj skuadre.

HISTORIA

5 ndeshjet e fundit mes këtyre dy skuadrave e shohin Gostivarin në një pozitë më të favorshme, pasi kjo skuadër ka regjistruar 3 fitore, një barazim dhe vetëm një disfatë, edhe atë në ndeshjen e fundit që këto dy skuadra e kishin zhvilluar me 19 prill të vitit 2016-të, kur në Prilep kishte shënuar fitore me rezultatin 3:0. Në përgjithësi në ndeshjet e këtyre dy skuadrave nuk shënohen më shumë se 2-3 gola, ndërsa vlen të theksohet edhe fitorja më e lartë e Gostivarit, 5:1 e regjistruar me 28 maj të vitit 2013-të.

Këto dy skuadra deri më tani gjatë muajit shtator janë takuar dy herë, ku një ndeshje është mbyllur me barazim 1:1, ndërsa në një tjetër fitues kishte dalë Pobeda me rezultatin 1:0.

Leave a Reply