Kosova U-21 fton futbollistin e FC Shkupit

Përfaqësuesja U-21 e Kosovës më 16 tetor përmbyll kualifikimet për kampionatin Europian “Italia 2019” kundër Izraelit si mysafir, ndërsa trajneri Rafet Prekazi tashmë ka filluar edhe me ftesat drejt futbollistëve që mendon ti grumbullojë për këtë ndeshje, shkruan “infOSport.mk”.

Në mesin e futbollistëve që janë ftuar nga Prekazi bënë pjesë edhe futbollisti i FC Shkupit, Rron Broja, i cili ankohej nga një lëndim në nyje, mirëpo në ndeshjen e fundit ndaj Renovës ai u paraqit si zëvendësues, duke bërë me dije se tashmë është i gatshëm për lojë dhe për të dhënë më të mirën për ekipin e vendlindjes së tij.

Seleksionuesi Prekazi shumë shpejtë pritet ta bëjë publike listën e futbollistëve të ftuar për këtë duel, që njëherit do të jetë i fundit në kuadër të grupit të 5-të eliminatorë, ku me kundërshtarë si Gjermania, Norvegjia, Irlanda, Azerbajxhani dhe kundërshtari i rradhës, Izraeli, përfaqësuesja shpresa e Kosovës grumbulloi 12 pikë në 9 ndeshje, duke u renditur në pozitën e katërt.

Leave a Reply