Dortmundi mund edhe Bajernin dhe tashmë konsiderohet si favorit për titullin (VIDEO)

Në një ndër ndeshje më atraktive viteve të fundit në Bundesligë, Borusia e Dortmundit mundi Bajern Munihun me rezultatin 3:2, dhe tashmë nuk ka se si ti ik epitetit ‘favorit’ për titullin e kampionit, pavarësisht se ka kaluar vetëm 1/3 e kampionatit.

Me këtë fitore ‘verdhezinjtë’ tashmë kanë 7 pikë para ‘bavarezëve’, pas 11 xhirove. Në mes dy skuadrave ndodhet Borusia Menhengladbahu që ka 4 pikë më pak se ‘milionerët’.

Robert Levandovski (26′, 52′) në dy raste kalonte në epërsi Bajernin e Munihut, mirëpo Marko Rojsh (49′, 67’penalti) kundërpërgjigjej, duke barazuar shifrat, ndërkohë rezervisti Pako Alkaser (73′) i siguroi fitoren Dortmundit.

Përveç kësaj historia tregon se asnjëherë Bajerni i Munihut nuk ka arritur që të kompensojë një ngecje të tillë në një fazë të këtillë të kampionatit.

Tashmë pason pauzë dy javore, ku nuk përjashtohet mundësia e zëvendësimit të trajnerit në rradhët e ‘bavarezëve’, pavarësisht që drejtuesit pohojnë se besojnë në aftësitë e Niko Kovaç.

Sonte skuadra e tij zhvilloi një pjesë të parë shumë të mirë, në të cilën maksimalisht arriti që të ndalë kundërshtarin, mirëpo më pas futbollistët e tij ndaluan, duke pranuar 3 gola.

Leave a Reply